Kurti dhe Konjufca dështuan të formonin qeverinë, Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme
Pas mosvotimit të kabinetit Konjufca, presidentja fton partitë për konsultime, ndërsa vendi rrezikon zgjedhje të reja të parakohshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur sot një takim me kryetarët e partive politike, një ditë pasi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Glauk Konjufca, nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re. PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhjen e caktuar për orën 10:30.
Çfarë ndodh pas dështimit të votimit?
Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë se nëse dështojnë dy përpjekje për formimin e qeverisë, vendi shkon automatikisht drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Në këtë rast, presidentja Osmani duhet të shpallë datën e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja. Thirrja e sotme e partive vjen në një moment kyç, ndërsa mundësia për të shmangur zgjedhjet po ngushtohet.
Votimi që rrëzoi qeverinë e re
Një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi formimin e qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Vetëm 56 deputetë votuan pro, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër. Ky ishte kandidati i dytë i propozuar nga Vetëvendosje, pas Albin Kurtit, që nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për qeverinë Kurti 3.
Kosova drejt zgjedhjeve të reja?
Vendi aktualisht funksionon me një qeveri në detyrë, pasi zgjedhjet e 9 shkurtit nuk prodhuan një shumicë funksionale për formimin e ekzekutivit të ri. Nëse edhe përpjekja e dytë dështon, presidentja pritet të njoftojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e çuar Kosovën drejt një tjetër procesi zgjedhor brenda pak muajsh.